Kur heshtja bëhet bashkëfajnore: Si e kuptova se jetojmë në diktaturë
Ka një moment zgjimi që të lë pa frymë. Nuk vjen menjëherë, por ndërtohet me tulla zhgënjimi, padrejtësie dhe frike të mbjellë me paramendim. Për vite me radhë, kemi dashur të besojmë se jemi thjesht duke kaluar një tranzicion të vështirë, se "demokracia jonë është e re". Por e vërteta është krejt tjetër: ne kemi rënë në grackën e një diktature të maskuar, ku format kanë ndryshuar, por mjetet e kontrollit dhe shtypjes mbeten po aq barbare.
E kuptova qartësisht se ku ndodhemi jo nga teoritë politike, por duke analizuar dhe përjetuar ngjarje reale të viteve të fundit. Le t'i kthejmë kokat pas te disa prej tyre:
1. Përparësia e klanit gjatë pandemisë
Kur bota po lëkundej nga paniku dhe pasiguria e koronavirusit, shteti u tregua "efikas" vetëm për një kategori njerëzish. Ndërkohë që qytetarët e thjeshtë ishin të bllokuar pa asnjë mundësi lëvizjeje, u vunë fluturime speciale për të kthyer mbrapsht të afërmit e pushtetarëve dhe oligarkëve. Aty e kuptove se në këtë vend, jeta e disa njerëzve vlen më shumë se e të tjerëve.
2. Abuzimi me shëndetin dhe tregtia e fatkeqësisë
Pandemia u kthye në një terren abuzimi financiar dhe moral. U vendosën tamponë të detyrueshëm pa asnjë logjikë mjekësore, pa u kërkuar nga Evropa dhe pa asnjë standard shkencor, thjesht për të mbushur xhepat e radhës. Dhe kulmi i degradimit njerëzor? Mjekët që shisnin vaksinat, duke treguar se për pushtetin dhe klientelën e tij, as vdekja nuk është tabu për të bërë biznes.
3. Terrori ndaj aparatit fotografik në Rinas
Kontrolli i mendjes dhe i lirisë nuk ka kufij. Në dy raste të ndryshme, teksa ndodhesha në aeroportin e Rinasit, thjesht po nxirrja telefonin për të dokumentuar një kujtim: herën e parë një top me ngjyrat e flamurit shqiptar, dhe herën e dytë pamjen e panoramës së rreshtit të tavolinave të check-in-it. Reagimi? Më vërsulën sikur të kisha një bombë atomike në dorë dhe jo një pajisje për të ruajtur një copëz kujtese. Një regjim që frikësohet nga një foto, është një regjim që ka frikë nga e vërteta.
Kostua e votës dhe fytyra e sotme e diktaturës
Këto nuk janë thjesht histori të shkuara; ato janë themelet e realitetit që po jetojmë sot.
Dhuna fizike që po pësojnë guximtaret dhe guximtarët që dalin në shesh për të kërkuar liri dhe drejtësi, është prova më konkrete e kësaj diktature. Por dhuna nuk ndalet te sheshi. Ajo shtrihet në formën e dhunës psikologjike ndaj atyre që kanë frikë të flasin, që zgjedhin të heshtin për të mos u përballur me hakmarrjen e sistemit.
Ky është kusuri që po marrim sot, sepse nuk kemi ditur – apo kemi refuzuar – të votojmë me mendje dhe me kurajë kur duhej. Diktaturat nuk vijnë gjithmonë me tanke në bulevard; shpesh ato instalohen heshturazi, ndërkohë që ne jemi të zënë duke u përpjekur të mbijetojmë.
